Ardita Statovci

Maj 31, 2017 | E mërkurë

Share This Post With:

Muzika si urëlidhëse mes kulturave dhe shteteve

Mag.art. Ardita Statovci, pianiste (24.05.2017)

Nëse merret si pikënisje një thënie e njohur e Beethovenit se “Muzika është zbulim më i lartë se çdo urtësi e filozofi tjetër” (“Music is a higher revelation than all ëisdom and philosophy”), sillet edhe një herë në kujtesë fuqia e jashtëzakonshme dhe ndikimi që tingujt kanë jo vetëm në jetën e individëve të caktuar, por mbi të gjitha, të popujve. Në secilin segment të jetës, gjatë festave apo përditshmërisë, muzika, si formë e drejtpërdrejtë e komunikimit, e konfirmon edhe njëherë atë se ajo çka nuk mund të thuhet me fjalë shprehet përmes tingujve. Si gjuhë e përbashkët, ajo vendosë harqet lidhëse jo vetëm mes shteteve të Evropës, por madje të gjithë botës, e përmes saj jepet mundësia të njohësh e “vizitosh” kultura e vende të ndryshme edhe pa qenë fizikisht i pranishëm. Për ata që nuk kanë pasur mundësi ta vizitojnë ndonjëherë, psh. Çekinë, muzika ua mundëson që të ulen skaj bregut imagjinativ kudo qoftë kjo, në Japoni, Australi, Kongo, Kil ose Francë,  e të përjetojnë në mënyrë magjike  rrjedhën e lumit Voltava duke dëgjuar poemat simfonike të Bedrich Smetana-s me titull “Vendlindja ime” (Ma Vlast). Edhe gati 150 vite pas kompozimit, emocioni që përçon kjo muzikë mbetet secilën herë unik dhe i drejtpërdrejtë, dhe këta tinguj arrijnë ta rikthejnë pamjen e lumit secilën herë në mënyrë të re e të gjallë.

Popujt, në rrugëtimin e tyre për liri, kanë pasur fat krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri, dhe këtë mund ta shohim nëse e krahasojmë Suedinë që nuk ka pasur luftë qe 200 vite, dhe në anën tjetër Kosovën, si shteti më i ri me histori lufte vetëm para 18 vitesh, atëherë është e qartë që edhe zhvillimi i historisë muzikore të vendeve dallon.

Një vend tjetër evropian, Austria, kishte fatin të ketë një gjeni që ndonëse jetoi në shek. e XVIII, sot mbetet edhe më tutje një ndër kompozitorët më të popullarizuar të të gjitha kohërave: Wolfgang Amadeus Mozart. Personaliteti dhe veprat e tij kanë një kontribut të jashtëzakonshëm në promovimin e imazhit të Austrisë dhe në përgjithësi të zhvillimit të vetëdijes muzikore të të gjithë Evropës dhe më gjerë. Edhe Mozarti e kishte fatin të jetë nga një shtet evropian i etabluar që moti, i cili e ka bërë arkivimin e ruajtjen e veprave të tij dhe vazhdimisht punon në promovimin e krijimtarisë së, përveç tjerash, njërit nga themeluesve kryesorë të klasicizmit vjenez (first viennese school). Edhe sot, për gjeneratat e reja të cilitdo vend, mendjet e tilla të mëdha krijuese mbeten model. Ndërsa ndër vite e shkekuj, janë pikërisht artistët që me artin dhe këmbëngulësinë e tyre i kanë thyer tabutë, kanë ndikuar në shoqëri, e kanë ngritur vetëdijen dhe moralin dhe e kanë mbajtur lart idealin për një botë të përparuar dhe të zhvilluar.

Kur jemi te Kosova, muzika klasike e kompozitorëve të këtij vendi është një aspekt kyç në të cilin ia vlen të investohet dhe ia vlen të përkrahet për promovimin e saj. Është mënyra më e drejtpërdrejtë, pa dorëza dhe e bukur, përmes së cilës mund të njihet një popull me histori të veçantë, mund të njihen vuajtjet dhe gëzimet e tij, aspiritat për liri, për të qenë qytetar i barabartë i Evropës. Ia vlen të dëgjohet kjo muzikë me ritmin specifik 7/8, 8/8, element ky origjinal i këtij vendi, të cilin nuk e gjejmë tek Schuberti ose Brahmsi, një muzikë me tonalitetin e theksuar në mol, me një bukuri të distancuar që ngërthen nostalgjinë dhe njëkohësisht dëshirën për jetë, ia vlen që të njohim më afër njëri-tjetrin, jo nga teoria e mendimet e formuara në njërën formë apo tjetrën, por që fqinji-fqinjin ta njohë drejtpërdrejtë, t’ia njohë shpirtin përmes muzikës. Edhe shtetet e vogla mund të japin shumë, e për këtë iu nevojitet një shans, iu nevojitet mundësia për të shfaqur potencialin.

Muzika mban gjallë historinë e njerëzimit ndër shekuj dhe nuk njeh kufinj. Me zanafillën e zhvillimit mu në Evropë, muzika klasike mbetet vlerë e përbashkët e rëndësishme evropiane dhe krijon mundësinë për njohje më të mirë të vendeve brenda e jashtë kontinentit, shpërbën paragjykimet, hap mendjet, rrëmben zemrat dhe bashkon njerëzit.