eductaion

Nëntor 01, 2017 | E mërkurë

Share This Post With:

Sfidat në sistemin e arsimit të lartë dhe mundësitë e Erasmus + diskutohen në EUICC si pjesë e fushatës mujore për arsimin

Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në Prishtinë organizoi panelin e diskutimit me temë “Arsimi i lartë në Kosovë: sfidat kryesore dhe rruga përpara”, si pjesë e fushatës mujore për arsimin.

Riccardo Serri, Udhëheqësi i Sektorit të Politikave, Ekonomisë dhe Integrimit në BE, Zyra e BE-së në Kosovë/PSBE, diskutoi si pjesëtar i panelit rreth dy përparësive kryesore të synimit të BE-së në për ndihmesën ndaj sistemit arsimor në Kosovë. Sipas z. Serri, ligji i ri i arsimit dhe rritja e investimeve në sektorin e inovacionit dhe hulumtimit duhet të kenë ndikim të madh në përmirësimin e të gjithë sistemit.

Rron Gjinovci, drejtor i ORCA-së, foli kryesisht për avancimin akademik, duke e konsideruar pjesën më të rëndësishme të sistemit të arsimit të lartë.

“Përmes mësimdhënësve të mirë dhe të përgatitur mund të kontribuojmë në zgjidhjen e shumë çështjeve të tjera në sistem,” pohoi Gjinovci.

Debati vazhdoi me prezantimin e Prorektorit të Hulumtimit Shkencor në Universitetin e Prishtinës, Faton Berisha, i cili ngriti shqetësimin për buxhetin dhe investimet e përgjithshme në sektorin e inovacionit dhe hulumtimit. “Bashkë me partnerët tanë evropianë mund të bëjmë më shumë për aspektet financiare dhe të ndihmojmë në rritjen e sponsorizimit për projektet e inovacionit dhe hulumtimit”, tha Berisha.

Arben Dermaku – Këshilltar i Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë – kontribuoi në debat duke paraqitur perspektivën e Ministrisë mbi sfidat e arsimit të lartë. Dermaku e konsideroi të rëndësishëm sistemin e universitetit, por sipas tij sistemi parauniversitar është vendimtar në kapërcimin e sfidave në arsimin e lartë. Diskutimi u pasua nga një debat interaktiv me publikun.

Qendra informative dhe kulturore e BE-së organizoi dy sesione informuese për programin e BE-së për mobilitetin në arsimin e lartë Erasmus + për publikun e studentëve kosovarë të interesuar. Programi Erasmus+ (European Region Action Scheme for the Mobility of University Students) është program i Bashkimit Evropian i themeluar në vitin 1987 dhe mbështet me fonde edukimin, trajnimin dhe sportin e të rinjve, përmes financimit te projekteve, programeve dhe bursave studimore. Që nga viti 2014 Kosova është vend partner i këtij programi dhe financimi i bursës së parë studimore nga Erasmus+ në vend ka ndodhur në vitin 2015. Platforma, e cila do të dhurojë 135 mijë bursa për vendet partnere, do të jetë e qasshme për studentët dhe stafin akademik deri në vitin 2020.

Sesionet informuese për programin Erasmus + u mbajtën në të dyja qendrat e EUICC-së. Blerinë Zjaqa nga zyra e Erasmus+ në Kosovë, i informoi pjesmarrësit rreth të gjitha mundësive që ofron programi për shkëmbime studimore afatshkurtra “International Credit Mobility” dhe për bursat për studime të plota në vendet e Bashkimit Evropian përmes programit “Joined Master Degrees”, si dhe me te gjitha detajet e shpenzimeve që mbulohen nga programi. Studimet apo mobilitetet që mbështeten nga kjo platformë janë për të gjitha nivelet e studimeve, ato bachelor, master dhe doktoraturë.

Qendra informative dhe kulturore e BE-së në Mitrovicën e Veriut organizoi një sesion informimi për të shënuar përvjetorin e 30-të të këtij programi me Koordinatorin në Detyrë për Zyrën e Erasmus + në Kosovë, Goran Laziq, dhe ish studentët e Erasmus +, Aleksandra Raduloviq dhe Dejan Filipoviq. Të dyja sesionet informative të mbajtura në Prishtinë dhe Mitrovicën e Veriut ofruan hollësi të mëtejshme dhe këshilla rreth procesit të aplikimit, të cilat kryesisht kishin të bënin me kualifikueshmërinë për aplikim, notën mesatare të kandidatëve, eksperiencën, njohuritë gjuhësore, dokumentacionin e duhur dhe rëndesinë e respektimit të afeteve për aplikim.